Ish-hotel “Vollga” në Durrës, sot i ngjan një ndërtesë groteske, gati-gati të dalë nga romanet me fantazma.

I rrënuar, vendstrehim për të pastrehët, vendgrumbullim mbetjesh, inertesh, shiringash, në mes të ditës edhe banjo publike.
Hotel “Vollga” gjendet në zemër të qytetit, dhe përtej të gjithave, kolonat e saj i ngjajnë shpatullave të mëdha të një burri të plakur që nuk ka dëshirë të humbasi luftën me dinjitetin.

Nga njëra anë Torra Veneciane dhe muri i Kalasë, nga ana tjetër, shëtitorja “Taulantia”, pak më tej Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri.

Në përpjekje për ta gëzuar sezonin turistik, ndoshta përtej muajve klasik të një sezoni veror, të gjithë e dimë se kjo është pikërisht zona më e frekuentuar nga turistët.

Por në rrugën e tyre të eksplorimit të qytetit, ata përballen me një pamje të tillë.
Ndoshta për ne, qytetarët e zakonshëm të Durrësit, kjo është një panoramë e pranuar tashmë, por kush e di ç’mendojnë të huajt?!

Me siguri, e kuptojnë që ky nuk është Durrësi 3000-vjeçar.

Është e qartë se askush nuk do të ngatërrohet me drejtësinë, ajo se çfarë ka ndodhur me hotel “Vollgën” është vetëm dhe vetëm punë e gjyqësorit në vend, por askush nuk e fsheh dot se kjo pamje është shqetësuese, ky vend vjen erë…

Historia e ndërtimit të ish-hotel “Vollgës” nis në vitin 1938, që fillimisht u mendua të shërbente si seli e Komandës së Marinës italiane. Pas pushtimit të Shqipërisë, italianët vendosën ta shndërronin atë në një hotel luksoz, duke i vënë edhe emrin “Hotel dei Dogi” më 21 prill 1940.

Me kapitullimin e Italisë dhe pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania, “Hotel dei Dogi” merret nën administrim nga gjermanët dhe i ndryshohet emrin në “Majestic”.
Pas çlirimit të Shqipërisë komunistët ia ndryshuan sërish emrin dhe ia vendosën “Vollga” për shkak të afërisë në raporte me Bashkimin Sovjetik.
Që nga viti 1949 e deri në vitin 1990, hotel “Vollga” ka qenë një nga zonat më të preferuara për pushuesit në qytetin e Durrësit.
Sot, hotel Vollga është një pronë e sekuestruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
A do ta ketë ndokush mirësinë, të paktën ta rrethojë këtë godinë?!

H.H.