Një 52-vjeçar nga Tirana është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një avokat. Policia sqaron se po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale A.M., i cili ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka kanosur me jetë avokatin me iniciale S.K., 37 vjeç, duke pretenduar se ky i fundit i ka marrë një shumë të caktuar lekësh për ta liruar nga burgu.

52-vjeçari ka qenë në burg për veprën penale të “Falsifikimit” dhe gjatë dëshmisë që kallëzuesi ka bërë para efektivëve të komisariatit numër 6 në Tiranë, ka sqaruar se i ka marrë një shumë të caktuar shtetasit A.M. gjatë kohës që ky i fundit ishte pala mbrojtëse e tij.

Avokati ka pohuar se nuk i ka marrë asnjë shumë tjetër parash përveç “hakut të punës”, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Avokati ka treguar gjithashtu para hetuesve se 52-vjeçari e ka kërcënuar edhe me jetë nëse ai nuk i kthen shumën që i ka dhënë më herët.

Mësohet se shtetasit A.M. dhe S.K. jetojnë në të njëjtin pallat në zonën e Kombinatit dhe kanë pasur përplasje çdo ditë me njëri-tjetrin. “Për çdo ditë më del para derës e më kërcënon se do më vrasë, nëse nuk i kthej shumën e lekëve që më ka dhënë gjatë kohës që kam qenë pala e tij mbrojtëse në gjyq. Ai u burgos për ‘Falsifikim’ dhe tashmë pretendon se është liruar nga amnistia”, mësohet të ketë thënë avokati në polici.