Ish-kampioni i arteve marciale mikse (MMA), Conor McGregor, ka bërë një thirrje publike për mbështetësit e tij në rrjetet sociale që të ushtrojnë presion mbi këshilltarët lokalë dhe lobistët, për ta ndihmuar në përpjekjen e tij për të kandiduar për President të Irlandës.

McGregor, i cili vitin e kaluar u dënua për përdhunim, ka pretenduar se tashmë ka siguruar mbështetjen e disa këshilltarëve, deputetëve dhe senatorëve, sipas raportimeve nga irishtimes.com. Ai publikoi të enjten një video të regjistruar jashtë ndërtesave qeveritare në Dublin, ku shfaqet duke bërë thirrje për “ndryshim të vërtetë”.

“Qytetarë të Irlandës, ka ardhur koha për ndryshim të vërtetë! Si President, nuk do të firmos asnjë ligj pa e kaluar më parë te populli! Nëse dëshironi të shihni emrin tim në fletën e votimit për president, ju lutem kontaktoni sot me këshilltarët lokalë të qarkut tuaj dhe kërkoni që të më propozojnë”, tha McGregor në videon e shpërndarë në rrjete sociale.

Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale për krizën e strehimit, duke thënë se mungesa e banesave ka arritur nivele të paprecedenta, ndërkohë që shtoi se “fëmijët tanë po braktisen” nga shteti.

Sipas tij, situata është përkeqësuar edhe më shumë nga “një valë masive emigracioni që ka goditur një sistem tashmë të rrënuar”. Ai po ashtu tha se turizmi është në rënie, ndërsa “rreziku në rrugët tona është rritur”.

McGregor e përshkroi veten si “mjeshtër i arteve marciale” dhe “njeri që kërkon zgjidhje”, duke përsëritur thirrjen për mbështetje nga këshilltarët lokalë. Ai i quajti këshilltarët “shtylla kurrizore të komuniteteve”, ndërsa kritikoi parlamentarët si “zhgënjime të vazhdueshme për vendin”.