Ish-kandidatja për kryetare bashkie në Durrës në zgjedhjet vendore të vitit 2019 përfshihet në garën parlamentare.
Valbona Sakollari ka njoftuar përmes një postimi në rrjete sociale vendimin për të qenë pjesë e garës elektorale nën siglën e partisë Bindja Demokratike, ku ajo aderon që nga krijimi i këtj formacioni politik. Ajo do të kryesojë listën e kandidatëve të BD-së për qarkun Durrës.
Vendimin që ka marrë Sakollari e konsideron jo të lehtë, por njëkohësisht shpjegon edhe arsyet që e shtynë ta ndërmarrë.
“Vendimi për të kandiduar për deputete në Kuvendin e Shqipërisë nuk qe një vendim i lehtë, pasi kërkon guxim dhe ndërgjegjësim të lartë.
Ndaj kandidimi vjen si veprim konkret për të dhënë kontributin tim modest në ndryshimin e modelit të përfaqësimit në këtë vendin tonë të vogël e të dhëmbshur.
Vjen si një pëpjekje konkrete për të filluar nga vetvetja ndryshimin në politikbërje, e cila vit pas viti është larguar nga ëndrra dhe vokacioni i lëvizjeve të 1991 dhe ka marrë nuancat e një diktature të re.
Është një përpjekje konkrete kundër listës hierarkike të kryetarit, ndaj të cilës Bindja ka vendosur të mos bashkëpunojë, por të dalë përballë, përtej gjithë hamendësimeve, dyshimeve, skepticizmit duke propozuar njerëz të guximshëm që vihen në start si të barabartë.
Vjen si një përgjegjësi qytetare dhe amësore ndaj të rinjve, të cilët për të ardhmen e tyre të mos kenë vetëm dy zgjedhje: o të bëhen militant partie për një vend pune, o të emigrojnë”,- shkruan ndër të tjera Sakollari në postimin e saj.
Më herët, edhe Roel Simaku, një nga themeluesit e degës së Durrësit të kësaj force politike njoftoi se do të kandidonte për deputet.
Vendimi për të kandiduar për deputete në Kuvendin e Shqipërisë nuk qe një vendim i lehtë, pasi kërkon guxim dhe…
Posted by Valbona Shkurti-Sakollari on Monday, March 8, 2021





