23 shkurt 2015 –  Ish kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka folur me superlativa për Xherdan Shaqirin dhe ka thënë se ai ka bërë mirë që ka zgjedhur Zvicrën para Shqipërisë. Shkodrani ka rrëfyer se e ka takuar Shaqirin para ndeshjes së Europa League Celtic-Inter (3-3).

"Ai është një nga lojtarët më të talentuar shqiptarë në histori dhe deri tani ka arritur më shumë se cilido shqiptar në këtë sport.

Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një thesar të tillë", ka thënë Vata.

"Nuk e kam njohur deri javën e fundit. Një natë para ndeshjes ndaj Celticut shkova dhe e takova pas stërvitjes. Ai është 23 vjeç, unë 46 por ai e dinte se kush isha nga Kombëtarja Shqiptare. Ne bëmë një përshëndetje shqiptare", vijoi shkodrani. Vata foli edhe për etiketimet që kanë marrë futbollistët shqiptarë të Zvicrës për shkak të moszgjedhjes së Kombëtares kuqezi. Sipas tij ata nuk janë tradhtarë pasi kanë bërë zgjedhjen e duhur.

"Ata u quajtën tradhtarë, gjë që nuk është e drejtë. Ata zgjodhën që ta përfaqësojnë Zvicrën. E di se janë shqiptarë, por ata kanë arritur më shumë gjëra deri tani se sa do arrinin nëse do luanin për Shqipërinë", ka thënë ish kapiteni i Kombëtares.