Ish-basketbollisti shqiptar, njëherësh kapiten i kombëtares, Ermal Kuqo, është katapultuar në karrierën e tij. Tashmë jo si sportist aktiv në një nga ekipet elitare, por me një post të rëndësishëm pas lamtumirës që i dha parketit. E fjala është për “ajkën” e basketbollit botëror, pikërisht në NBA. Shtatlartit shqiptar i është besuar një post drejtues në radhët e Los Anxhelos Klipers.Sipas asaj që bëhet publike në faqen zyrtare të një prej skuadrave më të njohura amerikane, Ermal Kuqo do të mbajë pozicionin e drejtorit ndërkombëtar të zbuluesve të talenteve. Një detyrë mjaft e rëndësishme për Kuqon, i cili në hierarkinë e Los Anxhelos Klipers pozicionohet i pesti mes qindrave anëtarëve në stafin drejtues.Falë karrierës së tij si sportist, kjo është shfrytëzuar së fundmi edhe nga ana e kampionëve të Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Tiranës, duke e afruar në kupolën drejtuese për sezonin sportiv 2017-2018.
Kuqo do ta niste karrierën e tij te Tirana ku do të luante në sezonet 1993-1995 për t’u transferuar në kampionatin turk me Fenerbahçen. Një start i frikshëm i Kuqos në basketbollin profesionist, ndërsa ishte vetëm 15 vjeç.Në kampionatin turk, Kuqo do të fitonte dy tituj kampion në vitet 2004 e 2005 dhe dy Kupa të Turqisë në 2006-ën dhe 2007-ën. Në verën e vitit 2004, përballë një zgjedhjeje të ekipeve kombëtare, ai zgjodhi Turqinë, e cila i dha atij mundësinë për të konkurruar në eventet më të larta, siç janë EuroBasket dhe Kampionatet Botërore.Pasi luajti për përfaqësuesen turke në dy kampionate europiane dhe kampionatin botëror, në vitin 2010 ai vendosi t’i kërkojë FIBA-s t’i japë atij leje për të luajtur për Shqipërinë. Ai e udhëhoqi Shqipërinë duke shënuar në verën e vitit 2010 në ndeshjet e Divizionit B, me një mesatare 19 pikë/ ndeshje. Ai përfaqësoi ekipin kombëtar shqiptar për 4 vjet. Kuqo e mbylli karrierën në vitin 2015-2016 me ekipin e Ankarasë, Turk Telekom.