Me rënien e muzgut, rruga kryesore dhe shumë rrugë të tjera, në lagjen me numër 15, e njohur si zona e ish-Kënetës në Durrës, përfshihen totalisht nga errësira. Dritat e makinave dhe dritat e disa dyqaneve të vegjël familjarë buzë shtëpive janë mundësia e vetme për ndriçim në zonën ku jetojnë rreth katër mijë banorë. E ndërsa më të rriturit nxitojnë drejt banesave pas aktivitetit të përditshëm, sapo mbrëmja bie, më të vegjlit vazhdojnë ende të luajnë, duke shfrytëzuar dritën natyrore, ndërsa më pas gjithçka zhytet në terr.

Banorët shprehin shqetësimin e tyre që i prek të gjithë pa dallim moshe. Veç problematikave të tjera që lidhen me infrastrukturën, banorët ngrejnë shqetësimin dhe për ndriçimin, mungesa e të cilit ndihet prej vitesh.

“Për çështjen e ndriçimit, jemi patjetër të shqetësuar. Edhe për fëmijët që i çojmë në shkollë edhe vetë ne kur dalim, sidomos ne që jemi të moshuar, por dhe për çdo gjë tjetër, ka nevojë për ndriçim”, thonë banorët.       

Banorët e ish-Kënetës paguajnë taksa si çdo banor tjetër në qytetin e Durrësit, më të rëndësishmin në vend pas Tiranës zyrtare. Ata paguajnë ndriçimin dhe pastrimin, por siç thonë ndriçim në zonë nuk kanë.

“Mbahen lekët e ndriçimit. Por, ne nuk kemi as ndriçim, as gjelbërim”, shtojnë banorët.

Të pyetur se si ndriçohet lagja, rrugët dhe gjithë zona, banorët thonë se dritat e shtëpive janë e vetmja zgjidhje.

“Me dritën time. Asnjë dritë tjetër, ska dritë. Me dritat e shtëpisë”, thonë banorët.

Me shqetësimin e vazhdueshëm, për të siguruar jetën, shëndetin, pronën, banorët e kësaj zone nuk janë ndier kurrë pjesë e qytetit të Durrësit. Ata thonë se qëndrojnë në pragjet e shtëpive për të pritur fëmijët, ndërsa kthehen nga shkolla.

“Ja jam në xhade duke pritur fëmijët, me i rujt”, thotë një prej banorëve.

Një projekt i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i mbështetur nga “Lëviz Albania”,  i quajtur “Ndriçim për ish-Kënetën”, ka nisur të zbatohet në zonë dhe ka si qëllim, aktivizimin e banorëve  për të advokuar për të vendosur ndriçim në lagjet ku jetohet në terr, pasi duke u ndërgjegjësuar për të drejtën e tyre ata shprehen se ndriçimi përveçse e drejtë, është dhe domsdoshmëri.  

“Diçka që është e domosdoshme për jetën e njeriut”, thonë ata.