Një zjarr i përmasave të mëdha, i ka trembur jo pak banorët e zonës së ish-Kënetës në lagjen nr.14 këtë mbrëmje. Persona të papërgjegjshëm, i kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në cepin e rrugës dhe tymi është shpërndarë në të gjithë lagjen.

Banorët fillimisht kanë menduar se zjarri ka rënë në ndonjë banesë, por kur janë afruar pranë vatrës nga dilte tymi e flaka, kanë parë që po digjeshin mbeturinat.

Kjo është një situatë shqetësuese që përsëritet shpesh në zona të ndryshme të Durrësit dhe jo vetëm. Megjithëse, ministri i ri i Brendshëm Sandër Lleshaj, sapo u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, në përgjigje të shqetësimeve të banorëve lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, i kërkoi Policisë së Shtetit të marrë masa urgjente dhe të mbajë nën kontroll situatën duke bashkëpunuar me institucionet vendore, fatkeqësisht episode të tilla vazhdojnë të ndodhin ende.