29 nëntor 2013- Eduard Belegu, ish-këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë, i cili humbi çdo gjurmë në rrethana të mistershme në mars të vitit 2010, shpallet zyrtarisht “person i zhdukur”. Vendimi për shpalljen e zhdukur të zyrtarit të ministrisë, fati i të cilit nuk dihet prej më shumë se tri vitesh, është shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza të kryeqytetit kanë pranuar padinë e bashkëshortes së Belegut, Iliriana Belegu, e cila kërkoi këtë veprim nga gjykata. Vendimi i gjykatës u mundëson trashëgimtarëve të Belegut të çelin trashëgiminë e tij.

Vendimi për shpalljen të zhdukur të Eduart Belegut, është marrë në 22 nëntor të këtij viti nga gjykata e Tiranës, ku pas 10 seancash gjyqtarja Elona Gjoka ka vendosur të pranojë kërkesën civile të bërë nga gruaja e Belegut, Ilirjana Belegu, duke shpallur zyrtarisht burrin e saj person të zhdukur.

Kërkesë padia është depozituar në gjykatën e Tiranës në 2 maj 2013, ndërkohë që vetëm pas më shumë se një viti është marrë vendimi për zhdukjen e Eduart Belegut. Ky i fundit ka humbur kontaktet me familjen dhe të afërmit e tij që prej datës 28 prill 2010 dhe se për herë të fundit është parë në zonën e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, pranë ish-fushës së Aviacionit. Shumë kërkime janë kryer nga policia dhe prokuroria, por edhe nga familjarët por sërish nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e vendndodhjes së tij. Në atë periudhë u përfol Agron Kuliçi, se kishte gisht në zhdukje, por në fakt gjithçka mbeti në kuadër të thashethemeve.