Tiranë, 18 korrik 2014 – Gazeta “Sot” në vazhdim të publikimit të dokumenteve që sipas saj zbardhin tjetërsimin e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit dhe përvetësimet e bëra nga nënkryetari I KLD-së, Elvis Çefa shkruan se nuk janë grabitur 1220 hektarë tokë, por plot 1939,18 hektarë tokë nga Gjiri i Lalzit deri tek Kepi i Rodonit.
“Sot” citon ish-kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i zëvendësuar më pas me Elvis Çefën në këtë post, i cili thotë se nuk janë grabitur 1220 hektarë tokë, por plot 1939,18 hektarë tokë nga Gjiri i Lalzit deri tek Kepi i Rodonit. Tunxh Vatnikaj sqaron edhe arsyet e shkarkimit të tij, pasi nuk kishte firmosur tjetërsimin e tokës.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për 1220 ha, por në total janë 1939.18 ha tokë në Gjirin e Lalzit dhe Kepin e Rodonit, vendim të cilin e kam prishur unë dhe të nesërmen e prishjes së këtij vendimi jam zëvendësuar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së me Elvis Çefën. Gjithashtu ai anëtari i KLD në fillim ka qenë gjyqtarë i Kavajës, më vonë u emërua gjyqtar i Apelit në Tiranë e shumë shpejt u bë anëtar i KLD”, ka pohuar ish-drejtori i AKKP.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





