Në një dalje për mediat, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka konsideruar lirimin nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Endrit Dokle një kambanë alarmi.
Gjonaj bëri me dije se ka kërkuar pezullimin dhe ndjekje penale për gjyqtaren Enkeleda Hoxha.
“Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një këmbanë alarmi për procesin ku ndodhet drejtësia. Ndihem e keqardhur për këtë vendim edhe pse shqetësimin e kam shprehur institutocionalisht para se të bëhej duke kërkuar verifikim të menjëhershëm. Shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleda Hoxha është përçuar në 8 Janar 2018 pas lirimit të Genc Tafilit. I jam drejtuar Inspektorarit të Këshillit duke ndeshar heshtje dhe papërgjegjshmëri. Është kryer një verifikim i vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike. Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me kriteret e lirimit me kush dhe kodit penal. Në datën 15 janar i jam drejtuar KLGJ për pezullimin e saj dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit. Po ashtu kam kërkuar ndjekje penale ndaj gjyqtares për parandalimin e fenomeneve të tilla. I kam kërkuar KPK për ndjekjen me prioritet të procesit të gjyqtares por edhe për raste të tilla të ngjashme. Nga hetimi ka rezultuar se nga drejtoria e shërbimit të provës, ka vepruar në shkelje të dispozitave ligjore. Janë marrë masat nga ministria e drejtësisë, duke pezulluar drejtorin e shërbimit të provës Krujë, dhe është kallëzuar penalisht. Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, përsëris nevojën e një reagimi nga gjithë institucionet e drejtësisë. Këto vendime, që po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore për interesa të tyre, duhet të marrin ndëshkimin nga institucionet e reja të drejtësisë me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia. Kuvendi do të shqyrtojë propozimet për masat ndaj gjyqtarëve, e quajtur KÇK që do të japë instrumenta efikasë për këtë kategori gjyqtarësh e prokurorësh.” tha Gjonaj.





