Ish-kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako është thirrur përsëri në SPAK ditën e sotme. Mësohet se Dako do të merret në pyetje lidhur me dosjen e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja, i cili është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash, shitje të sekretit shtetëror dhe lidhje me krimin.

Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e vitit 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në vitin 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

Dako pritet të japë shpjegime se kush e propozoi dhe renditi të pestin në listë, Çyrbjan. Kujtojmë se një javë më parë, Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e shëtitores “Taulantia” në vitet 2014-2015, e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.