Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj ditën e sotme është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. I pyetur nga gazetarët për arsyen, Frrokaj ka deklaruar se “ka shkuar për punët e tij”. Megjithatë ende nuk dihet arsyeja pse kryebashkiaku është thirrur sot në SPAK.
Fran Frrokaj është dënuar me katër vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pasi u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa më pas gjykata vendosi që ai të hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa Gjykata e Lezhës më herët kishte dhënë dënimin me 4 vite burg ndaj tij.
Prokuroria dërgoi në gjykatë rreth 20 të pandehur, mes tyre edhe xhaxhain e ish-deputetit Arben Ndoka, Gjon Ndokën, pasi akuzohet për tjetërsim të pronave në Kune dhe Malin e Reçit në Lezhë. Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.