Dries van Agt, kryeministri kristian demokrat i Holandës nga viti 1977 deri në vitin 1982, ka vdekur nga eutanazia, ‘dorë për dore’ së bashku me gruan e tij, sipas organizatës për të Drejtat e Njeriut që ai themeloi. Të dy ishin 93 vjeç.

Lajmi u bë publik të premten nga Forumi i të Drejtave, i cili tha se çifti vdiq të hënën dhe do të varrosej në një ceremoni private në qytetin lindor të Nijmegen.

“Ai vdiq dorë për dore me gruan e tij të dashur Eugenie van Agt-Krekelberg, e cila ishte mbështetja e tij për më shumë se 70 vjet”, thuhej në deklaratë.

Çifti ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore prej kohësh. Në vitin 2019, Van Agt pësoi një hemorragji në tru, teksa mbante një fjalim në një ngjarje përkujtimore për palestinezët dhe nuk u shërua kurrë plotësisht.

Van Agt drejtoi qeverinë holandeze nga viti 1977 deri në vitin 1982.

Kryeministri holandez Mark Rutte, e cilësoi Van Agt si “stër-stërgjyshin e tij në detyrë”.