Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditëve të fundit është duke u përballur me disa probleme shëndetësore, për çka edhe është shtruar në spital. Mësohet se Mustafa aktualisht është i palëvizshëm, për shkak të problemeve shëndetësore – dhe se do të dërgohet për shërim jashtë vendit.
Burimet e Gazetës Express kanë thënë se Mustafa do të shtrohet nesër në një spital të Gjermanisë, deri në përmirësimin e gjendjes së tij.
Shkuarjen e Mustafës jashtë vendit për shërim e konfirmuar më vonë këshilltari i Mustafës, Besnik Berisha.
Ai ka thënë se Mustafa mund të udhëtojë jashtë vendit për disa ekzaminime.
“Dje personalisht e kam vizituar z. Mustafa dhe mund t’ju njoftoj se gjendja shëndetësore e z. Mustafa tashmë është në përmirësim e sipër dhe se trajtimi i tij është duke shkuar mjaft mirë”, ka thënë Berisha për Klan Kosova.
“Është planifikuar që në ditët në vijim të kryhen dhe disa ekzaminime të cilat ka mundësi që do të bëhen jashtë shtetit dhe z. Mustafa pritet që shpejt t’i kthehet punës dhe aktiviteteve të tij të përditshme politike dhe jo vetëm”, ka treguar Berisha.