Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj, ka promovuar librin e tij të ri “Lidershipi në Policinë e Shtetit – rasti i Shqipërisë”.

Promovimi u bë në mjediset e Akademisë së Shkencave, ku Memaj, Doktor i Shkencave dhe ish-drejtor i Policisë së Shtetit, e ka prezantuar librin e tij si një studim, duke e cilësuar si një detyrë në karrierën e tij.

“Policia është e vështirë, por nuk është e pamundur për t’u bërë. Libri që unë kam shkruar është një sintezë është një studim, por është njëkohësisht një detyrë për mua. Mendoj që libri mund të ndikojë pozitivisht në drejtuesit e Policisë së tanishme, por sidomos në drejtuesit e Policisë së ardhshme për të përgatitur gjenerata drejtuesish lider të Policisë”, u shpreh Memaj.

Në këtë event ishin të ftuar personalitete të larta në fushën e Shkencës, Arsimit, Drejtues të Lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ai e ka vlerësuar librin si një punë të jashtëzakonshme në fushën e rendit dhe sigurisë, duke theksuar idenë e një drejtimi dhe lidershipi demokratik që duhet të jetë pjesë e komunitetit.

“Falënderoj profesor Moikom Zeqon për theksin që i vuri Policisë së Shtetit duke e etiketuar se Policia realisht është e shtetit, është e shqiptarëve, nuk është e politikës dhe kështu duhet të jetë patjetër. Vlerat dhe veçantia e librit “Lidershipi në Policinë e Shtetit” është e jashtëzakonshme, sepse të gjithë ne duke filluar nga unë dhe shumë të tjerë  që janë këtu në sallë gjejnë veten brenda këtij libri. Gjejnë veten brenda këtij krijimi të shkëlqyer të mënyrës së drejtimit në konceptin modern të Policisë, duke shmangur përfundimisht idenë dhe konceptin e një drejtimi arbitrar-ekzekutiv ose edhe të një lidershipi i cili imponohet nga koha demokratike e të bërit të Policisë pjesë të komunitetit të cilit i përkasin”.

Edhe shkrimtari Moikom Zeqo e cilësoi punën mjaft profesionale dhe të arrirë në ndërtimin e librit, duke e cilësuar si një vëmendje të rëndësishme drejt lidershipit të Policisë që tashmë është një tendencë botërore diskutimi.

Në përfundim, Gjeneralit të Policisë Shqiptare Bilbil Memajt, iu dorëzua certifikatë me përmbajtje “Krenaria e Zonës së Cakranit” me rastin e 15-vjetorit të themelimit të shoqatës së Cakranit me motivacion: “Për kontributin e shquar atdhetar dhe për lartësimin e vlerave dhe traditave të zonës së Cakranit”.