Tiranë, 14 prill 2014 – Ish-kryeprokurorja, Ina Rama ka dorëzuar në Gjykatën Administrative një padi ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Padia është për shkak se KLD rrëzoi pak ditë më parë kërkesën e Ina Ramës për pocizionin e punës si gjykatëse në Apelin Civil. Deri në mbarimin e mandatit të saj, Rama nuk ka pasur mundësi të kthehet në detyrën e gjykatëses, gjë që e ka ushtruar para se të ishte në krye të Prokurorisë së Pëegjithshme.
Në datën 24 shkurt, Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e Ina Ramës për t’u kthyer si gjyqtare në Apelin Civil. Vendimi u mor me 8 vota kundër dhe 4 pro, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura që mbajti KLD. Anëtarët e KLD-së vendosën me shumicë votash të rrëzojnë kërkesën, me arsyetimin se Zj. Ina Rama ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit Tiranë. Sipas KLD-së, për t'u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t'i nënshtrohej procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë.
Zonja Rama kujton në padinë e saj se pasi la postin e Prokurores së Përgjthshme në janar 2013, iu drejtua zv.kryetarit të KLD-së dhe Presidentit për dijeni që ta rikthenin si gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë si një vend i barazvlefshëm me atë të Apelit të Krimeve të Rënda ku ka qenë me detyrë të mëparshme, e për të shmangur edhe konfliktin e interesit që vjen nga firmosja e hetimeve përgjatë kohës që ishte në krye të organit të akuzës.
Zonja Rama thekson se pas kërkesës që nga janari 2013 ajo nuk ka marrë asnjë përgjigjje dhe asnjë komunikim nga KLD se përse cështja e saj nuk u fut në rend dite edhe pse gjatë kësaj kohe KLD ka zhvilluar dhjetra mbledhje e miratoi gjyqtarë për vendet vakante në Gjykatën e Apelit.
Që pas largimit nga posti i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama kishte kërkuar rikthimin si gjykatëse, detyrë që e ka mbajtur më herët.
/agjencia e lajmeve ”Dyrrah”/





