“Për Ahmetaj pyesni Ramën, pse më pyesni mua për ministrin. Ça ka qenë Ahmetaj? Ministër ishte.”
Kështu u shpreh ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani teksa doli nga dyert e godinës së Prokurorisë së Posaçme ku qëndroi për dy orë dhe u pyet nga gazetarët nëse ishte marrë në pyetje për aferën e inceneratorëve dhe lidhjen me pasardhësin e tij në detyrë Arben Ahmetaj.
Cani pohoi se ishte thirrur në SPAK për një çështje për të cilën gjykon se nuk mund të japë detaje për shkak të sekreteve hetimore, por mohoi të ishte pyetur për inceneratorët.
“Jo. Shkresa ka dalë, është publikuar. Nënshkruaj të gjitha letrat… Nuk ka rëndësi që çfarë them unë, kur është e shkruar. Me gojë s’kam ça përsëris. E di shumë mirë se çfarë kam firmosur (për inceneratorët). Se çfarë kam shkruar dhe firmosur e di shumë mirë. E lexuat shumë mirë”, u shpreh ai.
Pas këmbënguljes së gazetarëve, Cani u shpreh se është i gatshëm të paraqitet në SPAK për këtë çështje sa herë t’i kërkohet dhe të japë dëshminë e tij pasi kërkon që drejtësia të vihet në vend.
“Pyeteni SPAK se kur do të më thërrasë dhe a do më thërrasë. Kam kaluar aq shumë gjëra në jetë sa nuk më bën më përshtypje. Jam i gatshëm të më thërrasin dhe të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Nga SPAK pres drejtësi dhe ligj”, tha Cani.
Sakaq, bëhet me dije se Cani është marrë në pyetje në lidhje me privatizimin e një ndërtese.