Ish-ministri iranian i Ekonomisë, Ehsan Khandouzi, ka deklaruar se cisternat dhe ngarkesat me gaz të lëngshëm (LNG) duhet të kalojnë ngushticën e Hormuzit vetëm me lejen e Iranit.

Sipas tij, kjo politikë duhet të nisë menjëherë dhe të zgjasë për një periudhë prej 100 ditësh.

Nuk është e qartë nëse deklarata e Khandouzit pasqyron një qëndrim zyrtar të autoriteteve apo përfaqëson mendimin e tij personal.

“Kjo është një politikë vendimtare, nëse zbatohet në kohë. Çdo vonesë në zbatimin e saj do të thotë zgjatje e luftës brenda vendit”, shkroi ai në rrjetin X të martën.

Ministria iraniane e Naftës dhe ajo e Jashtme nuk kanë reaguar ende ndaj kërkesave për koment.

Edhe më herët një masë e tillë është diskutuar në Iran. Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet mes Omanit dhe Iranit, është rruga më e rëndësishme në botë për transportin e naftës.

Edhe vetëm përmendja e mundësisë për mbylljen e saj ka shkaktuar tronditje në tregjet globale, duke sjellë rritje të çmimit të naftës.

Pse është e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?

Nëse kriza del jashtë kontrollit, skenari më i keq për ekonominë botërore do të ishte një bllokadë nga ana e Teheranit në ngushticën e Hormuzit.

Në këtë rast, ende hipotetik, Arabia Saudite do të mund të eksportonte ende të paktën 5 milionë fuçi në ditë, pak më pak se gjysma e kapacitetit të saj prodhues, përmes tubacionit lindje-perëndim që e lidh drejtpërdrejt me Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit.

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu do të mund të vazhdonin të eksportonin një pjesë të prodhimit të tyre.

Më i godituri do të ishte Katari, i cili detyrimisht kalon të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm nëpër ngushticën e Hormuzit.