Në kohën kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin me ankth progres raportin për hapjen e negociatave, Franca duket se e ka marrë një vendim, duke i mbyllur derën dy vendeve të Ballkanit.

Ish-ministrja e qeverisë Macron, Nathalie Loiseau tha në një intervistë për RTL se në qershor nuk do të ketë negociata mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

"Nuk kemi ndryshuar mendje, do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër", tha Loiseau.

Ish-ministrja shtoi më tej gjatë intervistës se dy vendet janë janë gjeografikisht në Evropë dhe ne duhet t'i ndihmojmë ata, por përgjigja nuk është për zgjerim.

Ish-diplomatja merr të gjithë përgjegjësinë për vendimin e liderëve të BE-së në vitin 2018, ku u shty hapja e negociatave.

"Ajo që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut isha unë, kur mbaja postin e ministres. Çështja e zgjerimit vendoset me votë unanime dhe vitin e shkuar kalova 8 orë për t’iu shpjeguar homologëve të BE-së që isha kundër, në përputhje të plotë me presidentin Emmanuel Macron", nënvizoi ish-ministrja Loiseau, e cila beson që dyert e BE-së do të mbeten të mbyllura për Tiranën dhe Shkupin edhe në samitin e ardhshëm në qershor të liderëve të BE-së.