E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24, ish-ministrja e Bujqësisë në vitet ’75-’88, Themie Thomai rrëfeu arsyet se pse nuk kishte përmbytje në atë kohë. Duke iu referuar përmbytjeve të fundit në Shqipëri si pasojë e reshjeve të fundit, ish-ministrja në qeverinë e Enver Hoxhës tha se në atë kohë merreshin masat më përpara.
“Kjo është një shkencë e tërë, por funksiononte një rrjet i tërë kullues i kontrolluar. Atëherë binin shumë reshje, por nuk kishim përmbytje. Kolektori i madh pastrohej çdo vit. Nëse nuk pastrohet ai nuk ka kullim. Në fund të çdo gushti, çdo hidrovor merrte në dorëzim ngarkesën e plotë, kontrolloheshin të gjitha digat. Nuk lejohej të shkelnin as këmbët e bagëtive në diga. Merreshin masat që më përpara. Kanali i ujërave të mëdha dhe pritat malore përbënin atë që quhej rrjeti kullues”, tha Themie Thomai.
Ish-ministrja e bujqësisë për 13 vite, në kohën e diktaturës ka treguar edhe si u bë ministre e bujqësisë në vitin 1976.
“Njeriu që ma komunikoi ishte Hysni Kapo, dhe më tha që byroja ka vendosur do bëhesh ministre! U shtanga, u tremba, dhe i thash se bëj dot! E kemi menduar do e bësh – më tha. Shkova në shtëpi, më pyeti nëna, më tha, pse të thirrën, dhe i thashë më bënë ministre Bujqësie. Aman tha-si do bëhesh ministre, se mos e mëson si Pirro Dodbiba, prandaj mos puno me kokën tënde, pyet të tjerët. Babi më kishte lënë të vogël dhe nëna kishte shumë kujdes për mua”, tha ajo.





