Ish-supermodelja kanadeze Linda Evangelista, një nga figurat më të mëdha në pistat dhe kopertinat e revistave në vitet 1990, tha në një postim në Instagram pak ditë më parë se i ishte nënshtruar trajtimit të reduktimit të yndyrës rreth 5 vjet më parë.
Procedura, e njohur si “Zeltiq CoolSculpting”, nuk shkoi aspak siç duhej dhe e la supermodelen të shpërfytyruar. Ajo tha se pësoi një efekt anësor të rrallë të quajtur hiperplazi paradoksale dhjamore (PAH) pas procedurave, që shkakton ënjtje në zonat që trajtohen.
“PAH jo vetëm që më ka shkatërruar jetën, por më ka dërguar në një cikël depresioni të thellë, trishtimi të thellë dhe urrejtje ndaj vetes. Në këtë proces, unë kam mbetur e vetmuar,” tha mes të tjerash Evangelista.
Ashtu siç theksoi, Evangelista nuk e la me kaq, por ngriti një padi të martën në gjykatën federale të Nju-Jorkut kundër kompanisë që kreu procedurën, duke e akuzuar për neglizhencë, reklamim mashtrues dhe ngriti pretendimin se kompania dështoi në paralajmërimin për efektet anësore të mundshme.
Padia thotë se Evangelista iu nënshtrua procedurave të shumta midis viteve 2015 dhe 2016 për të zvogëluar yndyrën në kofshë, bark, shpinë, krahë dhe mjekër. Kirurgjia korrigjuese nuk kishte funksionuar për të rregulluar efektet anësore të PAH.
Modelja kërkon 50 milionë dollarë dëmshpërblim për të ardhurat e humbura dhe shqetësimet emocionale, duke thënë se tani ka mbetur e papunë dhe nuk ka fituar asgjë nga modelingu që nga viti 2016.