Avokati Xhevdet Smakiqi ka njoftuar se ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, është arrestuar nga policia serbe në Merdarë rreth orës 09:00 të mëngjesit teksa ishte duke udhëtuar me vëllanë e tij drejt Italisë.

Smakiqi tha se është autorizuar nga familja Dakaj që të mbrojë të drejtat ligjore të familjarit të tyre. Ai shtoi se familjarët janë të frikësuar pasi ish-ushtari i UÇK-së është dërguar në qendrën e ndalimit në Kurshumli “dhe mund t’i nënshtrohet torturave fizike e psikike apo edhe më keq”.

“Unë menjëherë do të ndërmarr veprime duke ushtruar kërkesë pranë MPJD-së që të interesohet për fatin e shtetasit të Kosovës, Hasan Dakaj, i arrestuar sot në mëngjes në Merdarë nga polica serbe vetëm sepse ka qenë ish-pjesëtar i UÇK-së”.

“Si avokat i familjes Dakaj i bëjë thirrje urgjente MPJD-së që përmes kanaleve diplomatike të kërkojë lirimin e Hasan Dakajt dhe t’i lejohet lëvizja e lirë sikurse çdo shtetasi të Kosovës, pa diskriminimin”, shkroi Smakiqi.

Ai i bëri thirrje Serbisë që ta ndalë persekutimin e shtetasve të Kosovës, duke thënë se Serbia po e shkel lirinë fundamentale të lëvizjes së lirë, me fokus të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.