Motra e ish-efektivit të policisë Ajet Zeqaj, i cili u ekzekutua me armë me silenciator më 16 mars, ka dëshmuar në Polici në lidhje me vrasjen e vëllait të saj.

Burime pranë Policisë së Tiranës sqaruan se gjatë dëshmisë që Liljana K. ka dhënë para hetuesve të çështjes, ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni të konflikteve që vëllai i saj mund të ketë pasur me persona të caktuar.

Ajo ka thënë se edhe ditën që ndodhi ngjarja ishte duke e pritur Ajetin në shtëpi.

“Nuk më ka treguar se mund të ketë pasur probleme me ndonjë person. Ai hapej shumë me mua, por më shumë për çështje familjare. Di që në Francë punonte në një kompani. Që prej ditës që ishte kthyer nga Franca, më së shumti Ajeti flinte në shtëpinë time. Edhe atë ditë, si çdo ditë tjetër, isha duke e pritur në shtëpi për darkë”, mësohet të ketë thënë në polici Liljana. 

Ajo ka treguar se jeton shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja, por humbjen e vëllait të saj e ka mësuar nga mediat. Ndërkohë, pak ditë më parë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe disa të afërm të 41-vjeçarit, për të hedhur dritë për vrasjen misterioze që ndodhi në rrugën “Nikolla Tupe”.