Lajm i bujshëm nga Greqia. Armando Përlleshi mund të bëhet pjesë e gjigantëve të Olympiakos. Burime të sigurta bëjnë me dije ekskluzivisht për “SuperSport” se portieri 19-vjeçar ka përfunduar në radarët e 47-herë kampionëve të Greqisë dhe në merkaton e janarit mund të zyrtarizohet marrëveshja me lojtarin.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se klubi ka në shqyrtim mundësinë afrimit të portierit të Ionikos, pasi e konsideron si një portier me të ardhme dhe mund të jetë pjesë e projektit të klubit në vijim. 19-vjeçari, i lindur në Greqi ka patur një eksperiencë të shkurtër me Teutën e Durrësit në sezonin 2019-2020, për t’u transferuar tek Trikala më pas në ligën e dytë greke.

Në merkaton e kësaj vere ai kaloi tek Ionikos, ku i kanë besuar vetëm një ndeshje në Kupën e Greqisë, por në horizont duket një mundësi e artë për të, pasi bëhet fjalë për klubin më të madh në Greqi.

Olympiacos në organikën e saj ka lojtarë me emër si braziliani Marcelo, De La Fuente, Rodrigues etj. Po ashtu për Përlleshin do ishte një konkurrencë e lartë pasi në organikën e 47-herë kampionëve janë aktualisht katër portierë, por me gjasa njëri prej tyre do të largohet në merkaton e dimrit.