Ish-prefekti i Kukësit Granit Gjana është paraqitur sot SPAK, ku pritet të merret në pyetje për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Gjana nuk mbushi as tre muaj në funksionin e prefektit, ndërsa hetimet ndaj tij e vënë në pozitë të vështirë për kohën kur mbajti detyrën e nënkryetarit të bashkisë Kukës.

Komunikimet në WhatsApp mes Kujtim Elezajt dhe Uran Cengut gjatë tre muajve tregojnë se si për një tender për karburant, të hapur nga bashkia, subjekti “Ufo Cengu” kërkoi në datë 30 janar dokumente për autorizim mbi tregtinë e lëndëve djegëse. Por pretendenti u mbajt peng nga bashkia deri në datën 8 shkurt duke e protokolluar me vonesë, një veprim ky administrativ që solli skualifikimin e subjektit.

Kallëzimi u krye në datë 22 maj nga Florin Cungu administrator i shoqërisë pretendente, ndërkohë që hetimet në muajin nëntor rikualifikuan akuzën nga shpërdorim detyre në shkelje të barazisë në tender.

Për operatorin e skualifikuar, nga shkresat rezulton se edhe komisioni i prokurimit publik gjykoi se mos veprimi i zyrtarit të bashkisë për ta pajisur me autorizim për tregtim karburanti ndodhi haptazi në shkelje të ligjit

Gjana u pyet edhe më 25 korrik dhe tregoi kompetencat si zv.kryetarit por edhe si kryetar bashkie i përkohshëm pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i hetuar për korrupsion.

Prokurorja e çështjes thotë se Granit Gjana e ka penguar garuesin në mënyrë të padrejtë, duke mos lëshuar një dokument bashkiak, mungesa e të cilit solli skualfikimin nga dy procedura tenderimi.