TIRANE – Në 23 qershor jam i sigurt se Shqipëria do të arrijë t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar se mund t’i përmbahet angazhimeve të saj. Deklaratën e ka bërë ish- presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dikur raportues për Shqipërinë, Rene Van der Linden.
Në intervistën e dhënë për emisionin “Diplomatikus” të gazetares Erjona Rusi, senatori holandez shprehet se beson që politikanët shqiptarë do të marrin përgjegjësinë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta.
Sipas tij, duhet bashkëpunim dhe është e rëndësishme që partitë politike të marrin përgjegjësinë e tyre për të ardhmen e vendit. Van der Linden nënvizoi se Bashkimi Europian nuk po e humbet vëmendjen nga Ballkani Perëndimor, por situata aktuale e ka fokusuar më shumë unionin tek problemet e veta ekonomiko-financiare.
Senatori holandez ka komentuar edhe mbi qëndrimin kritik të Holandës ndaj Shqipërisë, lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Senatori shprehet se BE-ja tashmë po tregohet më rigoroze dhe do të monitorojë në mënyrë më rigoroze implementimin e këtyre kritereve nga vendet aspirante, pasi kanë marrë mësim nga faza e mëparshme e zgjerimit me Bullgarinë dhe Rumaninë, që u shoqërua me shumë kritika. Intervistën e plotë do të mund ta ndiqni sot në orën 19.00 në emisionin “Diplomatikus”, në “News 24”.