“Proceset e shtetformimit të Kosovës” ka qenë titulli i leksionit në të cilin ish-presidenti Sejdiu ka referuar për afro 40 minuta në prani të studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike.

Ish-presidenti i republikës së Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu ka marrë pjesë në një leksion të hapur me studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.  Në fjalën e tij, Sejdiu tha se shtetformimi i Kosovës kalon në tri faza të rëndësishme, por rruga që nuk kishte më kthim për Kosovën në një shtet brenda Jugosllavisë ka qenë viti 1989 me protestat dhe nisjen e rezistencës kundër represionit serb. 

Prof. Dr. Fatmir Sejdiu ka cilësuar një moment të rëndësishëm edhe takimin e dy delegacioneve shqiptare dhe serbe në prani të ndërkombëtarëve, presidentit Ahtisari dhe një përfaqësuesi të federatës ruse. Ky takim, sipas tij, ka qenë një takim ku pala shqiptare ka qenë më superiore pasi kishte në anën e vet të vërtetën historike dhe realitetin e Kosovës si dëshmi e asaj që kishte bërë Serbia në këtë vend. 

Pas fjalës së ish-presidentit Sejdiu, takimi ka vazhduar me pyetje nga ana e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.