Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar se më 1 shtator do të kallëzojë penalisht, Autoritetin e Dosjeve.
Sipas tij, ky institucion ka bërë shkelje të renda dhe të qëllimshme duke falsifikuar dhe manipuluar në llogari të Edi Ramës.
“Në 1 shtator do të kallëzoj penalisht Autoritetin e Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet në funksion të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës”, shkruan Meta.
Gjate konferencës sot, Meta u shpreh se përpjekjet e maxhorancës për të manipuluar çështjet në favor të tyre ia kalojnë edhe Partisë së Punës.
“Jam njohur me dosjen e përndjekjes së qytetarit F.T. nga sigurimi I shtetit. Nuk ka asnjë dosje për përndjekje nga shtetasi Ilir Rexhep Metaj. Ua kam treguar edhe origjinën që nga çerdhja deri te pazari i ri. Është e qartë.
Është një çështje me të cilën do të njiheni edhe ju. Edi Rama do të ketë edhe një akuzë më të rëndë sepse ka urdhëruar falsifikim në dosjen e një qytetari. Unë e di shumë mirë pse e ka bërë ai. Për shkak të veprimeve të përgjegjeshme të presidentit të republikës në mbrojtje të kushtetutës, të cenuara nga Edi Rama si kryeministër në shërbim të qarqeve anti-shqiptare.
Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën. Nuk I kanë funksionuar askujt. I.M. do të dalë spiuni ambulant Tao Tao. Një kameleon në shërbim të atij që i ofron një tender dhe një mundësi më të mirë për të jetuar. Ky rast i autoritetit të dosjeve do të jetë një rast ekzemplar se si keqpërdoret në mënyrë kriminale që duhet të jetë shembull i zbatimit të ligjit. Duhet të karakterizohet nga humanizmi dhe jo të cenojë privatësinë e qytetarëve thjesht për t’i shërbyer Edi Ramës nga tmerri që ka që nuk e blen dot më opozitën.
Do të jetë një rast skandaloz i përdorimit të metodave më të ndyra të ish sigurimit të shtetit pas 32 vitesh demokraci. Përpjekja e tyre është të shtyjnë çdo ditë me këto historitë. I bëjnë këta që ia kanë kaluar edhe Partisë së Punës. Jemi vend anëtar i NATO-s. Dhe i përdorin këto që të shpëtojnë nga ndëshkueshmëria e shpejtë që i pret. Me ligjet që kanë shkelur vetë do të përgjigjen para ligjit. Dhe do kthejnë çdo cent”, tha Meta.





