Ish Presidenti Donald Trump kritikoi të mërkurën gjykatësin e Nju Jorkut që i ndaloi të flasë publikisht për një çështje penale ndaj tij që pritet të fillojë më 15 prill, duke bërë një pretendim të rremë edhe për të bijën e tij dhe duke kërkuar largimin e gjykatësit nga çështja.
Në një postim në rrjete sociale, zoti Trump pretendoi pa prova se gjykatësi Juan M. Merchan po i nënshtrohej interesave të së bijës së tij, që është konsulente politike demokrate. Ai po ashtu pretendoi se ajo kishte postuar në rrjete sociale një fotografi që e tregonte zotin Trump pas hekurave të burgut.. Ky pretendim u hodh poshtë nga nëpunësit e gjykatës si i pavërtetë.
Zoti Trump, kandidati më i favorshëm republikan në garë presidenciale, u ankua në platformën e tij sociale Truth Social se urdhri që i ndalon të flasë publikisht për rastin ishte “i jashtëligjshëm, jo-amerikan, dhe jo-kushtetues.” Ai tha se gjykatësi Merchan, një jurist me përvojë i Nju Jorkut, po “përpiqet pa të drejtë ta privojë nga e drejta e garantuar me Amendamentin e Parë për të flasë kundër keqpërdorimit të organeve të rendit” nga rivalët demokratë.
Zoti Trump pretendoi se e bija e gjykatësit Merchan, Loren Merchan, zyra e së cilës është angazhuar në fushatën e Presidentit Joe Biden dhe fushatat e kandidatëve të tjerë demokratë, së fundmi ka postuar një fotografi në rrjete sociale që shfaq “qëllimin e qartë” të saj për ta parë atë në burg.
Zëdhënësi i sistemit gjyqësor të shtetit të Nju Jorkut tha përmes një deklarate se ky pretendim është i rremë dhe se profili në rrjete sociale të cilit iu referua zoti Trump nuk i takon më zonjës Loren Merchan. Duket se këtë profil e ka përvetësuar dikush tjetër, pasi ajo e kishte mbyllur atë para një viti, tha zëdhënësi i gjykatës Al Baker.
Sipas zëdhënësit Baker, llogaria në platformën sociale X, “nuk është e lidhur me adresën e saj të e-mailit dhe ajo nuk ka postuar nën atë emër që kur e kishte mbyllur llogarinë.”
Gazetarët po bëjnë përpjekje për të siguruar reagimin e zonjës Loren Merchan dhe të ekipit të fushatës së zotit Trump.
Urdhri për ndalesë, të cilin e kërkuan prokurorët, i ndalon zotit Trump të flasë për dëshmitarët, prokurorët dhe familjarët e tyre, personelin e gjykatës dhe anëtarët e jurisë. Rasti ka të bëjë me pagesën për aktoren e filmave pornografik, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes së saj për lidhjen e dyshuar jashtëmartesore me zotin Trump.
Urdhri nuk ndalon komentet ndaj gjykatësit Merchan dhe familjes së tij dhe nuk ndalon kritikat kundër Prokurorit të Manhatanit, Alvin Bragg, demokrat, zyra e të cili ka ngritur akuzat ndaj zotit Trump.
“Më lejoni ta sqaroj,” shkroi zoti Trump në platformën Truth Social, “të bijës së gjykatësit i lejohet të postojë fotografi të “ëndrrës” së saj për të më çuar në burg… por mua nuk më lejohet të flas për sulmet kundër meje dhe për të çmendurit që duan të më shkatërrojnë jetën dhe të më ndalojnë që të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat po i dominoj?”
Zyra e zotit Bragg refuzoi të komentojë.
/VOA