Andrew Mountbatten-Windsor bëhet anëtari i parë i lartë i familjes mbretërore i arrestuar në historinë moderne.
Veprimi i policisë për prangosjen e tij, erdhi pas zbulimit të mesazheve elektronike nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat duket se tregojnë se ish-duka dhe vëllai i Mbretit Charles ka ndarë raporte për vizita zyrtare në Hong Kong, Vietnam dhe Singapor gjatë viteve 2010-2011, shkruan The Guardian.
Në atë periudhë, ai shërbente si përfaqësues i veçantë i Mbretërisë së Bashkuar për tregtinë ndërkombëtare dhe investimet, sipas dokumenteve që janë bërë publikë së fundmi nga qeveria amerikane.
Një email, datuar në nëntor 2010, duket se u dërgua nga Andrew tek Epstein pesë minuta pasi ishte nisur nga këshilltari i atëhershëm i veçantë, Amir Patel.
Një tjetër email, në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, duket se i ka dërguar Epstein një informacion konfidencial mbi mundësi investimi në rindërtimin e provincës Helmand në Afganistan.
Ndërkohë, policia e Thames Valley njoftoi se po kryente hetime në adresa në Berkshire dhe Norfolk, dy qarkete të Anglisë.
Këto detaje konsiderohen të rëndësishme, pasi Royal Lodge, ish-shtëpia e Andrew në Windsor, ndodhet në Berkshire.
Wood Farm, shtëpia ku ai është zhvendosur së fundmi brenda pronës së vëllait të tij, Mbretit Charles, në Sandringham, ndodhet në Norfolk.





