Avokati dhe ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv se ish-presidenti rrezikon deri në 15 vite burg për 3 akuza që SPAK ka formuluar ndaj tij.

Beçi dënoi edhe mënyrën e dhunshme të arrestimit të ish-presidentit.

“Ka një procedurë standarde që realisht duhej të ndiqej. Mund të shmangeshin këto skena të arrestimit sepse i arrestuari ka qenë disa herë vetë në SPAK.

Një skenë të tillë mund të bëhej nëse ky zotëria do t’i shmangej SPAK-ut dhe policia t’i bënte thirrje dhe ta arrestonte.

Këto mund të kthehen në problematikë edhe për personat që janë rrotull aty. Mjaftonin dy patrulla policie me logo sepse është ish-presidenti dhe jo një person që po shkëmbente drogë. Duhet të ndërhyjë edhe prokuroria duhet të hetojë.

Nëse e kanë ndjekur nga Kosova, arrestimi i presidentit nuk mund të bëhej në mes të rrugës, por në zyrë apo shtëpi.

Duke patur parasysh akuzat Ilir Meta rrezikon të dënohet deri në 15 vite burg. Pastrimi i produkteve të veprës penale ka 7-15 vite burg. 20 vite nuk lejohet se është deri në 15 vite”- tha Beçi.