Edhe pse nuk është pjesë e trajningut në Kategorinë Superiore, Gentian Begeja është gjithnjë pranë Teutës, teksa prej një viti drejton ekipin U21. Ish-sulmuesi kampion me durrsakët në vitin 1994 tregon emocionet e titullit të dytë, tashmë duke e përjetuar ndryshe. Ai është kundër opinionit të disa specialistëve apo trajnerëve për lojën që ka zhvilluar Teuta.

Genti, keni qenë pjesë e titullit të parë në historinë e Teutës, duke kontribuar në vitin 1994 si një prej sulmuesve. Na tregoni pak ku ndryshojnë emocionet e atij trofeu nga ky i këtij sezoni në syrin e trajnerit?

Janë emocione të mëdha. Në ato vite Teuta ishte një skuadër që nuk ishte mësuar me trofe dhe fitimi i kampionatit dhe me pas i Kupës ishin arritje historike për ne. Më pas, nën drejtimin e zotit Hasanbelliu, skuadra u bë më konkurruese dhe me meritë të plotë arriti të dalë kampion këtë sezon, por gjithashtu të fitojë Kupa dhe Superkupa ndër vite. Sinqerisht, emocionet kanë qenë të papërshkrueshme me fjalë për mua, sepse tani nuk jam më futbollist.

Ky grup lojtarësh ka ndonjë gjë të përbashkët me ekipin kampion të brezit tuaj?

Çdo brez lojtarësh ka pluset dhe minuset e veta, por mendoj se harmonia dhe fryma e grupit ishte çelësi i suksesit të kësaj skuadre. Edhe pse kishin disa luhatje, asnjëherë nuk u dorëzuan. Për mua kishin ekipin më të fortë të kampionatit.

Nuk jam dakord me disa opinione që e etiketojnë si skuadër që nuk ka bërë lojë të bukur. Po ta analizojmë nga java e parë deri tek e fundit, do të shikojmë një ekip agresiv në të dyja fazat e lojës. Edhe me zotërimin e topit ka qenë më mirë se kundërshtarët.

Gjithsesi, e fitoi titullin me 15 barazime. Si e komentoni këtë?

Edhe barazimet pjesë e lojës janë. Nuk duhet shikuar si diçka negative. Të gjitha skuadrat e kreut me barazime aty-aty janë, por merita e Teutës është se kur nuk ka qenë në ditën e saj më të dobët, kundërshtarët nuk kanë arritur ta mposhtin.

Çfarë ju ka pëlqyer më tepër te kjo skuadër?

E kam thëne dhe e përsëris, fryma e grupit dhe harmonia. Janë djem të jashtëzakonshëm dhe me karakter. Ajo që nuk më ka pëlqyer në ndeshje të veçanta është ulja e ritmit, pasi kemi qenë në avantazh, duke u lënë terren kundërshtarëve dhe vënë shpesh në diskutim rezultatin.

Portieri Frashëri ka pësuar më pak gola se të gjithë, në një kohë që Teuta kishte mbrojtjen më të mirë të kampionatit…

Mendoj se Frashëri ka bërë një sezon të mirë. Sigurisht që ka pasur dhe ai si e gjithë skuadra oshilacionet e veta, por ka meritë të padiskutueshme në fitimin e titullit kampion. E njëjta gjë edhe për mbrojtjen kompakte që ka pasur Teuta.

Çfarë i duhet ekipit nga merkatoja në syrin tuaj?

Të jem i sinqertë, mendoj se ky ekip i ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë. Me dy-tri përforcime, aty ku stafi mendon se duhet ndërhyrë, mendoj se Teuta do të bëjë paraqitje më të mira që në Champions.

Çfarë prisni nga gara në Ligën e Kampioneve?

Të jem i sinqertë, si fillim duhet parë kundërshtari që do kemi përballë. Besoj që më pak fat mund ta kalojmë një tur, siç bëmë në sezonin e kaluar, ku askush nuk besonte se Teuta do të triumfonte ndaj Beitar Jeruzalemit.