Gentian Begeja është nga ata ish-futbollistë që i solli Teutës titullin e parë kampion në histori në sezonin 1993-1994. Sulmuesi që luajti një jetë për durrsakët ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë si pjesë e “djemve të detit”. Shkëputja e tij nga Durrësi ishte e shkurtër në fillimin e viteve 2000, kur u aktivizua te Luftëtari dhe Shkumbini, për t’u kthyer sërish te Teuta, aty ku mbylli karrierën si lojtar dhe nisi atë si trajner. 

Disa herë Begeja ka qenë në krye të skuadrës durrsake në dekadën e fundit, ndërsa ka drejtuar gjithashtu edhe klube si Erzeni dhe Besa në Kategorinë e Parë. Ish-qendërsulmuesi durrsak vjen në një rrëfim ndryshe i ngacmuar edhe nga kjo kohë karantine. Ai bëhet nostalgjik për titullin e vitit 1994, ndërsa flet për pengjet e karrierës apo ndeshjen e famshme ndaj Partizanit në 1996-ën, si dhe ditën kur qau në rolin e trajnerit.

Gentian, jeni pjesë e atij brezi që solli titullin kampion në Durrës. Në këtë kohë karantine shumë ishlojtarë të Teutës kujtojnë vitet ’90, ku ekipi ka shkëlqyer…

Na është rikthyer nostalgjia pas disa ndeshjeve që kemi parë së fundmi të ritransmetuara në TV. Janë emocione të papërshkruara, sepse për herë të parë në histori shpalleshim kampionë në vitin 1994. Ishim një superskuadër, me djem të shkëlqyer dhe një tifozëri nga më të mirat.

Është ky kujtimi juaj më i bukur nga karriera si lojtar?

Sigurisht. Por, përveç titullit kampion, edhe fitimi i Kupës së Shqipërisë në vitin 1995 ndaj Tiranës është diçka që do të mbetet gjithmonë në mendjen time nga karriera si futbollist me Teutën.

Përveç momenteve të bukura, natyrisht në futboll ka edhe situata prekëse. Ka diçka që nuk do ta harroni kurrë?

Janë shumë momente, por dua të veçoj sezonin 2016- 2017 kur isha trajner i Teutës dhe rrezikonim për të zbritur nga Kategoria Superiore. Ka qenë një javë para fundit të kampionatit dhe luanim me Apoloninë në Durrës. Fituam 1-0 dhe kam qarë pas ndeshjes bashkë me kolegët e mi, Ilir Biturku dhe Markelian Xhai.

Xhai dhe trajneri Starova, kanë kujtuar atë titull të humbur në vitin 1996, kur në javën e fundit ju mposhti Partizani dhe trofeun e mori Tirana. Çfarë kujtoni?

Është fakt që në atë ndeshje Partizani luajti për t’i bërë nder Tiranës. Kjo dihet nga të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë. Sigurisht kanë ndikuar shumë faktorë të jashtëm. Duhet të pranojmë se bëhet fjalë për vite të vështira, kur të fortët bënin ligjin dhe futbolli s’bënte aspak përjashtim.

Ju jeni përfshirë në një zënkë në atë ndeshje dhe jeni ndëshkuar me karton të kuq. Si është e vërteta?                  

Për sa i përket incidentit, janë nga ato gjëra që ndodhin në futboll. Ajo ndeshje ndaj Partizanit është pengu më i madh imi gjatë gjithë karrierës, sepse e lashë ekipin me një lojtar më pak në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Gjej rastin dhe kurajën që edhe sot pas 26 viteve, t’u kërkoj të falur shokëve, stafit teknik dhe në veçanti tifozëve durrsakë për atë karton të kuq.

Pas asaj ndeshjeje ku humbët titullin, mbani mend ndonjë bisedë me lojtarët e Partizanit?                                        

Jo, kam qenë i mërzitur dhe s’kam pasur ndonjë bisedë me lojtarët e Partizanit. Por, e dinë të gjithë që ata kanë qenë në presion të jashtëzakonshëm para ndeshjes ndaj Teutës.

Si një trajner dhe ish-futbollist, sa e vështirë është për ju të qëndroni në izolim këtë periudhë?                                

Normalisht që është e vështirë. Por, më e vështirë është të qëndrosh larg punës, larg profesionit, pasi jam rritur me futbollin dhe nuk jemi mësuar të rrimë kaq gjatë pa futboll.