Tiranë, 28 mars 2014– Është inauguruar sot në kryeqytet Instituti i ish-të përndjekurve politikë. Kryeministri Edi Rama, u shpreh në këtë ceremoni se, me vepra të tilla po i jepet fund hipokrizisë dhe abuzimit me këtë kategori. Kreu i qeverisë ka deklaruar se kabineti i tij ka një qasje jo cinike dhe përpjekje për të bërë më të mirën e mundshme për kategorinë e të përndjekurve politikë. Sipas tij, kjo shtresë edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite që ka dalë nga ferri i Enver Hoxhës e ka të pamundur të ndihet se jeton njësoj si të tjerët.

“Ne kemi marre nje zotim qe t’i japim fund abuzimit mëse 20 vjeçar me të përndjekurit politikë duke bashkëpunuar me ta, me dorën në zemër dhe fjalën e drejtpërdrejtë e të sinqertë për ta mbyllur me dinjitet plagën e hapur në gjithë këto vite të keqtrajtimit të tyre në radhë të parë moral e pastaj hap pas hapi edhe të moskompensimit të tyre material”, – tha Rama.

Sipas Ramës, ky institut është një hap modest por konkret që vazhdon me zotimin madhor “që të mos lejojmë më, që hipokrizia të vazhdojë të diktojë politikën”. 

“Ne do punojmë përditë që të jemi pikë referimi i njerëzve për sigurinë jo thjesht fizike, por sigurinë e marrëdhënieve të individit me shtetin. Siguria më e madhe është barazia e mundësive",- shtoi Rama më tej. 

Kryeministri premtoi më tej marrjen e këstit të parë të dëmshpërblimit për të gjithë ata ish-të përndjekur që ende nuk e kanë marrë atë. Do jenë 545 ish-të përndjekur ata që do mund të marrin dëmshpërblimin që nga java që vjen. Ministri i mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, që shoqëronte kryeministrin në këtë aktivitet tha:

“Nga java tjetër do të nisim pagesën për 545 të përndjekur që nuk kanë marrë as këstin e parë të pagesës. Brenda gushtit do të jetë përfunduar pagesa prej 10 milion dollarë për ata që s’kanë marrë këstet”, – tha Veliaj. Ndërkohë 8 milion dollarë do të shpenzohen për ata që janë ende gjallë e që duhet të paguajnë faturat.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/