TIRANE, 15 prill 2013– Një grup ish-të përndjekurish politikë protestuan sot përpara Parlamentit për dëmshpërblimet, të cilat ende nuk i kanë marrë.
Protesta u zhvillua pak para nisjes së seancës parlamentare, e cila do të kryejë punimet e saj për zëvendësimin ose jo të anëtarit të LSI-së në KQZ.
Ish-të përndjekurit kërkuan nga qeveria që të mbajë premtimet e dhëna lidhur me dëmshpërblimet që ata nuk i kanë marrë kurrë.
Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit duke ushtruar edhe dhunë. Gjashtë prej tyre lidhën veten me zinxhirë përpara Parlamentit, por forcat blu arritën që t'i zgjidhnin duke i larguar nga vendgjarja.
Ndërkohë policia i ka shoqëruar për në Drejtorinë e Përgjithshme 6 ish-të përndjekurit politikë që u lidhën me zinxhirë para parlamentit.
Kryetari Shoqatës së të Burgosurve Politikë, në një dalje për mediat nga vendngjarja tha se qeveria nuk do që të kalojë ligjin për dëmshpërblimet.
“Nuk kemi marrë këstet që na takojnë me ligj. Qeveria të mos na detyrojë të kalojmë në ekstremitet", Skënder Tufa.
Ndërkohë, Parlamenti pritet të votojë sot për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.
Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë një seancë e fortë për nga debatet, ndërkohë që janë regjistruar për diskutim 120 deputetë.
Deputetët socialistë mblodhën sot në orën 09:00 grupin parlamentar, ku vendosën rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë.
Në përfundim të mbledhjes, që zgjati rreth 30 minuta, nuk pati asnjë deklaratë për mediat, në lidhje me vendimet e marra.





