TIRANË- Ish-të përndjekurit qëllojnë me vezë dy makina zyrtarësh të Gjykatës Kushtetuese. Precedenti ndodhi mëngjesin e sotëm para kryesisë së Kuvendit ku makinat me targa TR 0279 Z dhe TR 0283 Z ndodheshin të parkaura. 

Një grup ish-të përndjekurit kanë qenë para selisë së kryministrisë dhe më pas janë zhvendosur para selisë së kryesisë së Kuvendit, ku kanë qëlluar me vezë mjetet e zyrtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 

Ky nuk është rasti i pari i reagimit të ish-të përndjekurve në këtë mënyrë. Pak kohë më parë ka qenë Gjergj Ndreca që ka qëllluar me miell makinën e kryeministrit Sali Berisha teksa hynte në selinë e Kuvendit. 

Kujtojmë që me 22 shtator të këtij viti, një grup ish-të përndjekurish nisën një grevë urive të cilat quan në vetëflijimin e disa prej tyre, ndërkohë që Lirak Bejko fatkeqësisht vdiq nga plagët e marra. Grevistët pretenduan se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut.