Në mjediset e Klubit të Artit dhe të Kulturës “Sigal” është organizuar çelja e një ekspozite të punimeve në qëndistari të artistes Afërdita Cakaj. Ajo ka ardhur në artin e pikturës pas mbarimit të shkollës teknike “ Harry Fulltz” dhe një periudhe pune si teknike në aviacion. Por pasioni i saj kanë qenë artet e bukura, duke sjellë natyrën në tablo nëpërmjet penjve dhe qëndisjes. Po në këtë epiqendër të së bukurës ajo ka vendosur krahas shumë objekteve të tjera, edhe stinën e vjeshtës dhe nga peizazhet ka kaluar në punimin e portreteve të figurave të njohura, të realizuara nga piktorët tanë të mëdhenj, por edhe të ideuar nga ajo vetë, përmendim këtu portretin e Nënë Terezës, Ismail Qemalit, motrës Tone etj.
Në fjalën e hapjes Mimoza Mele, drejtoreshë e degës së Sigal Durrës, vlerësoi talentin e saj, dëshirën dhe vullnetin për të përgjithësuar në artin e qëndisjes të bukurën. Artistja Afërdita Caka ka përshëndetur pjesëmarrësit e shumtë që kanë ndjekur këtë ekspozitë si dhe ka folur rreth rrugëtimit të saj artistik. Caka ka rreth 20 vite që shtegton në këtë krijimtari të veçantë dhe mjaft të preferuar nga artdashësit. Ajo ka realizuar rreth 50 punime artistike me natyra të qeta dhe portrete. Artistja gjithashtu ka realizuar disa ekspozita.
K.H.