Ajax kaloi një sezon mes shumë vështirësish në Eredivisie me skuadrën që kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit mban vendin e pestë në garë për të siguruar një vend në Europa Leaguen e sezonit të ardhshëm.

“Harkëtarët”, aktualisht drejtohen nga John Van’t Schip që mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të trajnerit Maurice Steijn në tetor të vitit të kaluar.

Por, për sezonin e ardhshëm drejtuesit e klubit kanë plane të tjera dhe kanë nisur nga puna për të identifikuar “timonierin” e ri. Graham Potter ishte emri që kontaktuan drejtuesit e Ajax, por menaxheri britanik duket se e ka refuzuar ofertën e holandezëve. Potter që është i papunë prej prillit të vitit 2023, e refuzoi Ajaxin me arsyen se nuk e bind projekti i klubit. Ndërkohë, te Ajax shpresojnë te një rikthim i mundshëm i Erik ten Hag në rast se ky i fundit shkarkohet nga Manchester United në fundin e sezonit për shkak të ecurisë zhgënjyese me anglezët.