Pasi mbyllën bashkëpunimin me trajnerin Dritan Mehmeti, Dinamo po përgatitet të mirëpresin italianin Luigi Di Biagio.

Trajneri vjen në kryeqytet me një CV të pasur, më parë ai ka drejtuar Italinë U21, si dhe për dy ndeshje kombëtaren e të kaltërve.

52-vjeçari pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme te Dinamo, edhe pse ai tashmë e ka nisur eksperiencën me dinamovitët duke qenë se së fundmi edhe pozon me fanellën e “Bluve”. 

Dinamo do udhëtojë në Itali për të kryer fazën e dytë përgatitore, këtë herë nën drejtimin e trajnerit të ri, që synon të sjellë një frymë të re te 18 herë kampionët e Shqipërisë.

Dinamo është në një moment tranzicioni, pasi klubi do të pësojë disa ndryshime rrënjësore. Duke nisur që nga emri, logo dhe menaxhimi. 

“Blutë” do të quhen Dinamo City, ndërkohë që do të ketë një logo të re. Klubi do të drejtohet nga presidenti Ardian Bardhi, teksa do të ketë dhe disa investitorë të rinj dhe të fuqishëm. 

Skuadra pritet që të përforcohet në ditët e ardhshme, ndërkohë që do të jetë pikërisht Dinamo City që do të bashkëpunojë me akademinë e Manchester Cityt. 

Pas marrëveshjes së nënshkruar disa muaj më para mes qeverisë shqiptare dhe klubit anglez.