Teuta e sezonit 2016-2017 pati shumë probleme, teksa në pak javë ndryshoi disa herë trajnerin, madje në fillim ata ishin të huaj. Njëri prej tyre ishte Roberto Cevoli, i cili e drejtoi skuadrën durrsake në tre ndeshje, pasi kishte pasuar italianin Cesare Beggi.

Humbja me Vllazninë në Shkodër përcaktoi të ardhmen e trajnerit italian, që u kthye në vendin e tij, ku edhe drejtori dy ekipe deri më ditën e sotme, kur edhe është emëruar në krye të skuadrës së Reggina-s.Cevoli sezonin e shkuar ka qenë në krye të Civitanovese, për të marrë më pas drejtimin e Renate.

Tashmë nis një eksperiencë të re dhe në një klub që me të ka qenë i lidhur edhe në të shkuarën. Tekniku ka punuar në sezonin 2012-2013 si trajner i të rinjve, ndërkohë që në periudhën 1993-1995 ka luajtur si futbollist. Për Roberto Cevoli-n është një mundësi për të treguar vlerat e tij si trajner. Në Shqipëri bëri shumë pak, por u përpoq të sillte risi, duke aplikuar modulin 3-5-2.Janë të paktë trajnerët që e përdorin dhe Cevoli u mundua.

Me Teutën e nisi me një ndeshje të vështirë në transfertë kundër Skënderbeut, që e humbi vetëm në minutat e fundit, ndërsa më pas iu gëzua tre pikëve të para në shtëpi. Durrsakët mposhtën 2-0 Luftëtarin dhe në transfertën e radhës në Shkodër u thyen 1-0 dhe aty përfundoi aventura e Cevoli-t me “Djemtë e detit”.

Prej atëherë te Teuta nuk i kanë besuar më asnjë trajneri të huaj, teksa kanë bashkëpunuar me Maganin, Nicën, Begëjën dhe Bledi Shkëmbin, i cili e ka marrë së fundmi drejtimin e skuadrës durrsake.