Ish-ushtari i UÇK-së, Veli Sadiku, me origjinë nga Mitrovica e Jugut është qëlluar për vdekje në Francë, si pasojë e një përplasjeje me armë zjarri mes dy bandave kriminale.

Sipas “Le Figaro”, Sadiku ishte viktimë e rastësishme e zjarrit mes bandave, pasi ishte në gjumë në momentin kur është qëlluar.

Për ngjarjen e rëndë ka folur edhe vajza e viktimës.

“Unë dhe nëna ime u zgjuam nga të shtënat e armëve, të cilat u ndalën fillimisht për disa momente dhe pastaj filluan sërish. Kur unë dhe nëna ime shkuam të shohim babanë ku flinte në shtratin e tij, ai kishte vdekur”, tha 23-vjeçarja për gazetën franceze.

55-vjeçari bashkë me familjen e tij kishte 14 vjet që jetonte në Francë. Media franceze nuk bëri të ditur emrin e viktimës por mediat kosovare dhe postimi në rrjete sociale mësohet se viktima është Veli Sadiku, nga fshati Rashan i Mitrovicës, i cili gjatë luftës ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Rreth orës 12:30, disa personat që udhëtonin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesave dhe “nga një prej të shtënave ka mbetur i plagosur për vdekje një 55-vjeçar, i cili ndodhej në banesën e tij ”, tha prokurori i Dijonit.