Një shtetas shqiptar është dënuar me katër vite burg nga gjykata në Francë, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh në banesa.
Angjelin Nokaj, 39 vjeç, akuzohej për vjedhje me thyerje në biznese, dyqane duhani, farmaci dhe banesa private, duke shkaktuar dëme prej dhjetëra mijëra eurosh.
Ai do të deportohet brenda pak muajsh nëse aplikon për lirim me kusht.
Sipas medieve franceze, i pandehuri u gjykua për të paktën 72 raste vjedhjesh me thyerje, të kryera në zona të ndryshme, ku synoheshin kryesisht banesa private dhe sende me vlerë.
Hetimet zbuluan se ai kishte marrë pjesë në një aktivitet të organizuar kriminal, duke realizuar disa grabitje në një periudhë të caktuar kohore.
Gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari deklaroi se në momentin e kryerjes së vjedhjeve kishte qenë nën ndikimin e kokainës, duke u përpjekur ta paraqesë këtë si një rrethanë që ndikoi në veprimet e tij.
Megjithatë, prokuroria paraqiti provat që e lidhnin me vendet e vjedhjeve, ndërsa gjykata e konsideroi përgjegjës për veprat penale.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi dënimin me katër vite burg të mbyllur, duke theksuar seriozitetin e veprave dhe nevojën për të frenuar vjedhjet dhe aktivitetet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve.





