DURRES, 5 prill 2013 – Në komunën e Ishmit, rrezikojnë të izolohen 4 fshatra me mbi 3 mijë banorë. Rruga që lidh komunën me pjesën tjetër të rrethit të Durrësit është dëmtuar në tre vende të ndryshme. Toka është çarë, ndërsa asfalti është shembur si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke vënë në rrezik funksionin e rrugës. Situata është kritike, ndaj kryetari i komunës së Ishmit Sulejman Ibrahimi kërkon ndërhyrje emergjente.
Sipas Ibrahimit rruga është dëmtuar në tre vende të ndryshme me një gjatësi prej 15 deri në 25 metra, duke avancuar 1 metër në drejtim të gjerësisë së aksit, çka bën që automjetet e tonazhit më të lartë të qarkullojnë me vështirësi. Ndaj për këtë arsye i është kërkuar Qarkut, i cili i ka nën administrim këto rrugë, të ndërhyjë për parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm.
Ai vijon më tej, duke thënë se në relacionin dërguar Qarkut Durrës, ka shpjeguar gjëndjen aktuale të rrugës, dëmet e shkaktuara përgjatë saj, por këta të fundit ende nuk kanë ndërhyrë.
Kreu i komunës thekson se specialistët e rrugës, të cilët kanë shkuar për të parë nga afër situatën, kanë kryer matjet e duhura dhe kanë bërë një raport mbi dëmet e shkaktuara, por kanë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, pasi prekja e rrugës në kohë me shi, do të shkaktonte dëmtim të mëtejshmë të saj.
Në pjesën e dëmtuar të rrugës, janë vendosur disa mjete rrethanore si gurë, shkopinj, e qesë plastike, për shmangjen e aksidenteve, në mungesë të tabelave sinjalizuese, por të pamjaftueshme për të shmangur një aksidentet kryesisht në mbrëmje. Erozioni i tokës në komunën e Ishmit, ka nisur prej disa vitesh, kjo edhe për shkak të pozicionit gjeografik-kodrinor që ka komuna, por dëmtimi dhe shkarja e rrugës është një fenomen, i cili është shfaqur përgjatë stinës së dimrit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





