Dy të rinj nga Shkodra kanë rënë në pranga e policisë pasi ishin duke qarkulluar me një automjet dhe do kryenin vjedhje në zonën e Krujës.

Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit: E. R., 25 vjeç, banues në lagjen Dobrac, Shkodër, i dënuar më parë dhe N. P., 23 vjeç,  banues në Shkodër.

NJOFTIMI I PLOTË

Në Krujë, pas informacionit të marrë në rrugë operative se dy të rinj nga Shkodra, të cilët ishin duke qarkulluar me një automjet do kryenin vjedhje në zonën e Krujës, shërbimet e Policisë kanë bërë bllokimin e automjetit dhe të dy të rinjve që ndodheshin në të.

Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të automjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi mjete që shërbenin për hapjen e dyerve të banesave dhe të automjeteve, doreza e pajisje të tjera që do shërbenin për të realizuar vjedhjet.

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë  i drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 25 vjeç, banues në lagjen Dobrac, Shkodër, i dënuar më parë dhe i pasagjerit shtetasit N. P., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, në bashkëpunim.