Tiranë, 24 maj 2014 – Duhanpirja vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit në botë, ndërkohë që në Shqipëri nga sëmundjet që shkakton duhani vdesin afro 3 300 persona. Të dhënat bëhen publike nga Instituti i Shëndetit Publik në prag të Ditës Botërore pa Duhan, e cila shënohet në datën 31 maj.

Ndërkaq, vëmendja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2014 është përqendruar te rritja e taksave të duhanit, si një mënyrë kjo që çon në uljen e konsumit të tij e duke shpëtuar në këtë mënyrë jetë njerëzish. Nga ana tjetër, specialistët e ISHP-së theksojnë se taksimi i produkteve të duhanit është edhe masa më efektive që njihet për të kontrolluar duhanin. "Ajo ka edhe avantazhe të tjera të shtuara, përveç arritjes së synimit, që është ulja e konsumit të duhanit apo rritja e të ardhurave qeveritare.

Taksat më të larta ndikojnë tek disa duhanpirës që ta lënë atë dhe ndikon që të tjerët të mos e fillojnë. Gjithashtu ka një ndikim në pengimin e ishduhanpirësve që ta rifillojnë dhe redukton numrin e cigareve të konsumuara. Mesatarisht, nëse niveli i çmimit të cigareve rritet me 10%, kjo do të thotë se në vendet me të ardhura të larta kërkesa do të ulet me 4% dhe me rreth 8% në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Kjo pasi njerëzit me të ardhura më të ulëta janë më të ndjeshëm nga një rritje në çmim, duke penguar të rinjtë për të filluar të pinë duhan", shprehen specialistët e ISHP-së.

Dëmet në shëndet

Sipas studimeve të ndryshme, duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për vrasjen nga duhani dhe dëmtimet e aparatit kardiovaskular, dhe deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive. Duhani është përgjegjës për të ashtuquajturën "epidemi" të kancerit të mushkërive, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX, duke çuar këtë kancer në numrin një të vdekshmërisë nga kanceri te meshkujt.

/Gazeta Shqiptare/