Përdorimi pa kriter i antibiotikëve po bën që shumë baktere të jenë të vështira për tu trajtuar në rastet e infeksionve. Zv-drejtoresha e ISHP, Blerta Kika në një intervistë për Euronews Albania shprehet se duhet vepruar menjëherë, nisur nga ndërgjegjësimi i popullatës e deri tek stafet mjeksore mbi rëndësinë e antibiotikëve.
Kultura e përdorimit të antibiotikëve “për çdo rast”, presioni i pacientëve për të marrë një recetë dhe praktika fatkeqësisht e përhapur e vetëmjekimit me antibiotikë të blerë pa recetë në farmaci po bën gjithmonë e më të vështirë trajtimin e disa infeksioneve.
Në këtë përfundim ka dalë një raport i hartuar nga ISHP në lidhje me antibiotiko-rezistencën. Ekspertët thonë se është koha për veprim.
“Stafet shëndetësore të përpilojnë protokolle të sakta mjekimi, Është shumë e rëndësishme ti jepet vlerë mjekëve mikrobiolog dhe të dëgjohen këshillat e tyre për kryerjen e ekzaminimeve bakterologjike dhe kryerja antibiogramës për të përcaktuar kush do jetë në fund antibiotiku sensibël”, tha Kika.
Sezoni i dimrit bart me vete dhe rritjen e sëmundjeve virale dhe bakteriale ndaj, ekspertët kërkojnë kontakt me mjekun dhe respektimin me përpikmëri të mjekimeve që ai jep pasi çdo tabletë antibiotiku e marrë pa kriter për një ftohje virale, apo çdo kurë e ndërprerë në gjysmë, është një stërvitje për “superbakteret” e së ardhmes.
Kika u shpreh se mjekimet nuk duhet të merren pa recetë në farmaci.
“Mjekimet të mos përdoren pa këshillën e mjekut, të mos merren pa recetë në farmaci, të respektohet koha që ka dhënë mjeku me oraret shumë mirë të përcaktuara. Shumë situata virale kanë të njëjtën klinike me ato bakteriale por mjekimi dhe trajtimi ndryshon dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër nëse për viruset do jepnim antibiotikë kjo do sillte shtamet rezistente dhe përkeqsim të situatave nesër,” tha ajo.
Për mikrobiologen, ndërgjegjësimi duhet nisur nga fëmijët, duke ju mësuar në shkolla se cfarë janë viruset, bakteret dhe rëndësia e higjenës. E po njëlloj duhet vepruar me këshillimin e prindërve mbi mënyrën e gatimit korrekt, ajrosjes së shtëpisë por më kryesorja, respektimin e kalendarit të vaksinave për fëmijët, një masë efektive për parandalimin e shumë sëmundjeve edhe vdekjeprurëse.





