Hapja e kufijve nga Kina në pikun e përhapjes së Covid-19 dhe qarkullimi i nënvarianteve të reja të Omicron ka rritur alertin në botë.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se situata pandemike në Shqipëri është e qetë.
Prej dy javësh rastet me Covid kanë pësuar rritje të lehtë me 6% të mostrave të testuara pozitive.
Aktualisht në qarkullim janë variantet ba4 dhe ba5 të Omicron dhe nuk ka asnjë dyshim për variantet e reja, që janë izoluar në SHBA, Portugali dhe Francë.
Ekspertët thonë se pavarësisht shifrave në rritje nuk pritet një valë pandemike, pasi në Shqipëri mbizotërojnë viruset gripale.
“Situata tek ne është e qetë, mbizotërojnë viruset gripale”, thotë Rovena Daja përgjegjëse e programit të vaksinimit.
Niveli i lartë i imunizimit të popullatës me anë të vaksinës dhe kalimit të virusit në mënyrë natyrale është një tjetër pikë që i bën ekspertët të besojnë se s’ka vend për panik.
“Situata tek ne është e qetë. Kemi arritur me një dozë 60% të popullatës së imunizuar. Vaksinimi mbron ndaj varianteve Omicon”.
Ekspertët thonë se në kushtet kur pandemia s’ka mbaruar vaksinimi nuk duhet ndalur. Ata rekomandojnë dozat booster veçanërisht për grupet e riskut./klan