Specialistë të Shëndetit Publik bëjnë më dije se temperaturat e larta në stinën e nxehtë të verës, kanë ndikim negativ tek ata persona të cilët kanë probleme me shëndetin mendor.

Përgjegjësja e sektorit të sëmundjeve mendore në ISHP, Jonida Haxhiu, në një prononcim për “Ora News”, argumenton se këto temperatura të larta sjellin çrregullimin e niveleve të neurotransmetuesve që stimulojnë agravim të gjendjes fizike dhe psikologjike.

“Moti i nxehtë shton problemet depresive, rrit agresivitetin, rrit përdorimin e substancave abuzive si dhe të alkoolit, shkakton reduktim të energjisë dhe ka një përkeqësim në aftësitë mendore”.

Ekspertja e ISHP-së këshillon që familjarët e këtyre personave që kanë probleme me shëndetin mendor, të kujdesen për pacientët, të zgjedhin për ta vende të freskëta, si dhe konsum të sa më shumë lëngjeve.