Babai i 27-vjeçarit Aleksandër Sadikajt, Fatmir Sadikaj ka rrëfyer momentin kur e ka marrë vesh lajmin tronditës nga mediat, duke u shprehur se ishte “si bombë”, ndërsa iu bëri thirrje mediave që të mos publikojnë gënjeshtra e trillime.

“E mora vesh lajmin nëpërmjet televizorit. Ishte si bombë. Dy ditë më parë kam folur me të në telefon për herë të fundit. Nuk diskutuam asgjë, përvecse kisha ditëlindjen para ca kohësh dhe më nisi lekët e ditëlindjes, kaq. Asgjë tjetër. Nuk m’i nisi dot lekët më datën 2 dhe m’i nisi atëherë. Ishte djalë shumë i mirë. Nuk është e drejtë për baballarët dhe nënat, që hapin televizorin dhe dëgjojnë direkt pas një minute lajme të tilla. Janë shumë rrena, shumë gënjeshtra e trillime, vetëm shpirti im e di”, u shpreh babai i Aleksandrit, Fatmir Sadikaj për News 24.